Paqes i nevojitet gjithmonë një luftë

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Është viti 1812, Moskë. Napoleoni ka pushtuar Rusinë dhe i afrohet qytetit çdo ditë. Aleksandri I e ka lënë qytetin dhe banorët e tij nuk janë të sigurt se çfarë duhet të bëjnë më tej. Pra, në vend që të marrin masa, në mungesë të një autoriteti, njerëzit e Moskës vendosin thjesht ta kalojnë kohën sa më mirë që të jetë e mundur. Ky moment përshkruhet nga Leo Tolstoi në romanin e tij “Lufta dhe Paqja”, ku ai shkruan: Me afrimin e armikut drejt Moskës, pikëpamja e moskovitëve për situatën e tyre nuk u bë më serioze, por përkundrazi, u bë edhe më joserioze, siç ndodh gjithmonë me njerëzit që shohin një rrezik të madh që po afrohet dhe nuk dinë si të veprojnë sepse janë gjendur pothuajse totalisht të papërgatitur.

Në afrimin e rrezikut ka gjithmonë dy zëra që flasin me fuqi të barabartë në shpirtin e njeriut: njëri i thotë me shumë arsye njeriut, që të marrë parasysh natyrën e rrezikut dhe mjetet për të shpëtuar; tjetri, akoma më i arsyeshëm, thotë se është shumë dëshpëruese dhe e dhimbshme të mendosh për rrezikun, pasi nuk është në fuqinë e njeriut të parashikojë gjithçka dhe të shmangë rrjedhën e përgjithshme të ngjarjeve, prandaj është më mirë të shpërfillësh atë që është e dhimbshme deri në fund. Më mirë, të mendosh për atë që është pozitive.

Në vetmi njeriu përgjithësisht dëgjon zërin e parë, por në shoqëri zërin e dytë. Kështu ndodhte atëherë me banorët e Moskës. Edhe tani me qytetarët e mbarë botës. Në ç’kohë jeton bota sot, veçse në një shoqëri njerëzish që përpiqen të shpërfillin atë që është e dhimbshme derisa të vijë, në favor të të menduarit diçka tjetër që është e këndshme?

Lufta dhe Paqja është një telenovelë e projektuar në mënyrë të ndërlikuar për një grusht familjesh ruse, jetët e të cilave kryqëzohen dhe shpërthejnë gjatë një prej periudhave më të rëndësishme historike, duke kulmuar me pushtimin e Rusisë nga Napoleoni dhe djegien e Moskës më 1812. Libri ka skena beteje. Ka romancë. Ka komedi – befasues nga fakti se sa satirë sjell në veprën e tij Tolstoi, duke pasur parasysh reputacionin e librit si të mërzitshëm, ngaqë kërkon kohë dhe durim për ta lexuar deri në fund.

Ka arsye për të lexuar “Lufta dhe Paqja”. Këto arsye janë veçanërisht të theksuara tani, në një kohë kur besohet se njerëzimi ka nevojë për një mrekulli të pamundur për t’u shpëtuar. Tolstoi është i preokupuar në mënyrë unike me natyrën e historisë dhe mënyrat në të cilat historia drejtohet jo nga njerëz të mëdhenj, por nga një grup i madh njerëzish, të mbledhur së bashku për të përmbushur vullnetin e tyre mbi rrjedhën e ngjarjeve njerëzore. Shumë herë, lëvizjet kolektive dështojnë. Por ndonjëherë, ata ia dalin, dhe kështu, janë ata që ndryshojnë botën. Është e vështirë të dramatizosh mënyrat në të cilat veprimet e vogla të shumë njerëzve sjellin ndikim të matshëm, sepse trurit tonë i pëlqen të lidhet me protagonistë të veçantë.

Zgjidhja e Tolstoit për këtë predispozitë është e shkëlqyer. Në vend që të portretizojë “luanët” e historisë, ai portretizon jetën e njerëzve të zakonshëm përballë saj. Kur i duhet të zmadhohet deri në fund për të folur për ngjarje të mëdha, ai merr një pamje jashtëzakonisht të gjerë. Historia, argumenton Lufta dhe Paqja, është krijuar nga qeniet njerëzore, të cilët nga ana tjetër janë të kufizuar nga historia.

Ju nuk mund t’i shpëtoni plotësisht rrethanave, por mund të shpresoni t’i ndryshoni ato. Konceptet e vullnetit të lirë dhe determinizmit janë përfundimisht të gabuara, sepse ju jeni produkt i botës në të cilën jetoni dhe si i tillë mund të bëni ndryshime të vogla në atë botë. Dhe këto ndryshime të vogla kombinohen me ndryshimet e vogla të të tjerëve, gjë që shton një lëvizje. Dhe kur drejtohen siç duhet nga një udhëheqës ose një qeveri, ato mund të shtohen në diçka më të madhe apo më të dobishme.

Lufta dhe Paqja lë të kuptohet se kjo është e vërtetë për të gjithë. Napoleoni është një figurë mitike, por edhe një njeri si gjithë të tjerët, dhe ambiciet dhe sukseset e tij të mëdha nuk e bëjnë atë domosdoshmërisht më të mirë apo edhe më efektiv se secili prej nesh. Tolstoi nuk argumenton plotësisht se vendi i Napoleonit në krye të një ushtrie masive që dominonte Evropën ishte një aksident total, por ai argumenton se ushtrinë e krijoi Napoleoni dhe jo anasjelltas.

Kur shikon botën përreth nesh, ndjen një pesimizëm të hidhur, por edhe të përzier me optimizëm të jashtëzakonshëm. Është shumë e lehtë të shohësh se si bota në të cilën rriten fëmijët mund të shkërmoqet papritur në pluhur, por është gjithashtu gjithnjë e më e mundur të shikosh mënyrat se si njerëzit e zakonshëm mund të shfrytëzojnë një mundësi tjetër për të ndërtuar diçka më të mirë.

Historinë nuk e shkruan askush ashtu siç qëndron e vërteta, sepse atë e shkruajnë ose e interpretojnë të gjithë sipas dëshirës. Lufta dhe Paqja ka shumë tema, por mund të jetë kjo tema kryesore e saj: Ne jemi të gjithë njerëz, që mund të shkruajmë historinë të cilën brezat e mëvonshëm do ta lexojnë. Çdo veprim që bëjmë lë një shenjë të vogël, edhe nëse ajo shenjë fshihet përfundimisht (qoftë edhe në mënyrë të pashmangshme). Asgjë nuk është e sigurt. Gjërat në fund të fundit mund të ndryshojnë, për mirë ose për keq. Dhe të mendosh sot se një kryevepër të tillë e shkroi një rus, atëhërë të mbetet të rikthehesh te më pozitivja sipas asaj që sugjeron gjeniu i letrave: Paqjes i nevojitet gjithmonë një luftë.

Share.

About Author

Comments are closed.