Brezi i humbur dhe ëndrra amerikane!

Pinterest LinkedIn Tumblr +

E ku tjetër, në ç’vend të Europës, mund të identifikohet një brez tjetër i humbur që beson ende tek ‘ëndrra e madhe amerikane’.

Brezi i humbur “humbi” ngaqë besonte se vlerat konservatore morale dhe sociale të prindërve të tyre ishin të parëndësishme për të përballuar jetesën e botës së pasluftës.

Në Shtetet e Bashkuara, politika e Presidentit Warren G. Harding për “kthimin në normalitet” pas Luftës së Parë Botërore, e la brezin e humbur të ndihej i tjetërsuar shpirtërisht. Ata besonin se ishin të pashpresë para një jete materialiste dhe emocionalisht shterpë.

Si dëshmitarë të vdekjeve masive dhe të pakuptimta gjatë viteve të luftës, shumë anëtarë të brezit të humbur hodhën poshtë idetë më tradicionale të mirësjelljes, moralit dhe roleve gjinore.

Ata u konsideruan të “humbur” edhe për shkak të prirjeve të tyre për të vepruar pa ndonjë qëllim, madje pa u matur, duke u fokusuar veçse në akumulimin e pasurive personale.

Në letërsi, termi i referohet gjithashtu një grupi autorësh dhe poetësh amerikanë, që përfshinin emra të mëdhenj si Ernest Hemingway, Gertrude Stein, F. Scott Fitzgerald dhe T. S. Eliot, veprat e të cilëve përshkruajnë me detaje betejat e brendshme të “Brezit të Humbur”.

Termi besohet të ketë ardhur nga një diskutim i dëshmuar nga romancierja Gertrude Stein, gjatë së cilës një pronar francez garazhi i tha me tallje punonjësit të tij të ri: “Ju të gjithë jeni një brez i humbur”.

Ai parashikoi me saktësi periudhën e vështirë që do të kalonte brezi i asokohe midis dy luftrave botërore.

Stein e dëgjoi këtë shprehje dhe ia tha kolegut dhe nxënësit të saj Ernest Hemingway, i cili e popullarizoi kur e përdori atë si një epigraf në romanin e tij klasik të vitit 1926, Dielli lind përsëri.

Anëtarët e Gjeneratës së Humbur panë edhe idenë e “Ëndrrës Amerikane” si një mashtrim i madh. Për Fitzgerald-in, vizioni tradicional i ëndrrës amerikane – se puna e palodhur çon në sukses – ishte një manipulim. Për brezin e humbur, “të jetosh ëndrrën” nuk do të thoshte thjesht ndërtimi i një jete të normale si para luftës, por pasurimi sa më shpejt që të jetë e mundur dhe me çdo mjet të nevojshëm.

Termi “Ëndërr Amerikane” i referohej besimit se secili kishte të drejtën dhe lirinë për të gjetur begati dhe lumturi në jetën e tij, pavarësisht se ku dhe në cilën klasë shoqërore kishte lindur. Një element kyç i ëndrrës amerikane ishte supozimi se përmes punës së palodhur, këmbënguljes dhe marrjes së rrezikut, çdokush mund të ngrihej “nga hiçi”, për të arritur sukses dhe për t’u bërë financiarisht i begatë.

Ëndrra Amerikane i ka rrënjët në Deklaratën e Pavarësisë, e cila i shpallte “të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë” me të drejtën për “jetën, lirinë dhe kërkimin e lumturisë”. Shkrimtari dhe historiani amerikan James Truslow Adams, popullarizoi frazën “Ëndrra Amerikane” në librin e tij të vitit 1931 ‘Epic of America’.

Si krahasim, të humbur në izolim gjatë viteve të komunizmit brezi i asokohe në Shqipëri u pasua nga një brez tjetër pas ’90, i cili jeton ende me iluzionin e ‘ëndrrës amerikane’.

Share.

About Author

Comments are closed.